UBT News

PDK-AAK serish para Qeverisë: Kërkohet konstituimi i Kuvendit dhe fundi i bllokadës institucionale

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të shoqëruar nga asamblistë, drejtorë komunalë dhe aktivistë nga Vitia, Gjilani e Kamenica, kanë mbajtur sërish një aksion protestues para objektit të Qeverisë për të kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe funksionalizimin e Kuvendit.

Gjatë aksionit, përfaqësuesit opozitarë paralajmëruan se vonesat politike po e çojnë vendin drejt një krize të thellë financiare e administrative. Valmir Sahiti nga Komuna e Vitisë ngriti shqetësimin se shumica e institucioneve po funksionojnë me ushtrues detyre, marrëveshjet ndërkombëtare janë pezulluar dhe komunat gjenden buzë falimentimit financiar, duke kërkuar nga partia fituese që t’i kthehet përgjegjësisë kushtetuese.

Në të njëjtën linjë, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, nënvizoi se situata aktuale jashtë kornizës kushtetuese është e papranueshme dhe i bëri thirrje mazhorancës të ndërpresë vonesat dhe arsyetimet politike.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kritikoi mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar mbledhjen e menjëhershme të seancës për formimin e organeve të reja ose, në të kundërt, shpalljen e zgjedhjeve të reja si rrugëdalje nga bllokada.

Exit mobile version