UBT News

Pesë raste të dhunës në familje, arrestohen disa persona

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajone të ndryshme të vendit, ku janë arrestuar disa persona dhe disa ratse po hetohen.

Në autostradën Ferizaj-Prishtinë, një shtetase e Shqipërisë ka pranuar tretman mjekësor pasi është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Ngjashëm ka përfunduar edhe një rast në Podujevë, ku një grua ka raportuar se pëson dhunë të vazhdueshme psikike nga bashkëshorti i saj. Policia e ka intervistuar të dyshuarin dhe me urdhër të prokurorit edhe ai është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Pejë është shënuar një tjetër incident ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Edhe pse në këtë rast nuk është raportuar për të lënduar, pas intervistimit të palëve, prokurori ka vendosur që lënda të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Në anën tjetër, dy raste të tjera kanë përfunduar me dërgim në mbajtje. Në Gjilan, policia ka prangosur një person të dyshuar për një rast të dhunës në familje që kishte ndodhur më parë, duke e dërguar atë në qendrën e mbajtjes me vendim të prokurorit.

Ndërsa në Gjakovë, një burrë i cili ndodhej nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, gjë që ka sjellë arrestimin e tij të menjëhershëm dhe dërgimin në mbajtje. /E.A/

Exit mobile version