Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të qëndrojnë sot në Serbi, ku do të vizitojnë edhe Luginën e Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare.
Ata do të priten nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, prej ku do të shkojnë edhe në Preshevë.
Kryetarja e kësaj komune në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në profilin e saj në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”.
“Një moment historik për Luginën”, sipas saj.
Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Një ditë më herët, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Atje diskutuan për “mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Përmes një postimi në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Në mesazhin e publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë me rastin e vizitës së kongresistëve, u theksua po ashtu rëndësia e angazhimit amerikan ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.
Dy kongresistët u takuan me zëvendëspërfaqësuesin e parë të lartë, Louis Crishock, “për të diskutuar situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse delegacioni i kongresistëve amerikanë do të vizitojë Kosovën.
Radio Evropa e Lirë është në pritje të përgjigjes nga Zyra për Media e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Javën e kaluar, Kurti njoftoi se ka zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.
“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.
Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.
Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”./REL/
