Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ka hyrë në një fazë teknike dhe sfiduese me dëshminë e ekspertes së linguistikës forenzike, Helen Fraser. Seanca e sotme, e cila është vazhdimësi e dëshmisë së nisur më 11 maj, është fokusuar në metodologjinë e përdorur nga ekspertja për vlerësimin e audio-inçizimeve, të cilat përbëjnë bazën e aktakuzës për pengim të administrimit të drejtësisë ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Një nga pikat më diskutabile të seancës së sotme ishte përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale nga ana e ekspertes Fraser për të analizuar materialet audio të siguruara nga mbrojtja. Prokuroria Speciale ka vënë në dyshim besueshmërinë e raportit të ekspertes, duke u mbështetur në deklaratën e saj se ajo nuk e njeh gjuhën shqipe.
Gjatë marrjes në pyetje, Fraser sqaroi se nuk ishte mbështetur verbërisht te teknologjia. “Nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT, por kam rishikuar audion me ekspertizën time në audio-forenzikë dhe në transkriptimet forenzike,” deklaroi ajo. Ekspertja theksoi se kishte hasur vështirësi në vlerësimin e mbështetshmërisë së përkthimeve të bisedave të realizuara gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit në shtator dhe tetor të vitit 2023, për shkak të informacionit të kufizuar që i ishte ofruar.
Diskutimi mbi specifikat e programeve të inteligjencës artificiale u zhvendos në një seancë private me vendim të gjykatësit Christopher Gosnell, për të ruajtur konfidencialitetin e procedurave dhe metodave hetimore.
Sfidat e transkriptimit objektiv
Fraser ngriti shqetësime lidhur me mënyrën se si Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka transkriptuar disa tinguj në audiot e tyre. Ajo argumentoi se interpretimi i zhurmave, siç është fëshfëritja e letrave apo lëvizjet në dhomë, nuk mund të jetë kurrë plotësisht objektiv.
“Disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm, të tjerë jo. Është vështirë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio,” u shpreh Fraser, duke shtuar se cilësimi i një zhurme si “kthim i faqeve të letrës” shkon përtej asaj që mund të konfirmohet me siguri vetëm përmes dëgjimit. Ekspertja kritikoi edhe teknikën e “përforcimit” të audios nga ana e ZPS-së, duke pretenduar se kjo mund të ndryshojë ose dëmtojë vërtetësinë e bisedave origjinale.
Për të kuptuar peshën e dëshmisë së Fraser, duhet parë konteksti i aktakuzës që rëndon mbi të akuzuarit. ZPS pretendon se Hashim Thaçi, përmes vizitave të realizuara në paraburgim nga Hajredin Kuçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe të tjerë, ka dhënë udhëzime të hollësishme se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë.
Sipas dosjes së Prokurorisë me Hajredin Kuçin, Thaçi pretendohet se ka dhënë udhëzime për dëshmitarët 5 dhe 6 gjatë vizitës së 3 shtatorit 2023.
Ndersa, me Isni Kilajn në vizitën e 6 tetorit 2023, dyshohet se janë ndarë informacione konfidenciale për dëshmitarët 3 dhe 4. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Kilajt, ZPS pretendon se ka gjetur faqe të grisura të deklaratave konfidenciale dhe shënime që përputhen me udhëzimet e Thaçit.
Si dhe Bashkim Smakaj, Prokuroria pretendon se në makinën e ish-shefit të AKI-së është gjetur një dokument që përmbante një version të ngjarjeve për dëshmitarin 2, i cili përputhej me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave.
Deri më tani, asnjë nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë. Hajredin Kuçi, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj nuk kanë pranuar të deklarohen në seancat e para. Një zhvillim i rëndësishëm ishte lirimi nga paraburgimi i Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut në tetor 2024, duke u lejuar të mbrohen në liri.
Çështja e ekspertes Fraser mbetet thelbësore për mbrojtjen, pasi ajo synon të hedhë dyshime mbi vërtetësinë dhe interpretimin e provave audio që ZPS-ja i konsideron si dëshmi kryesore të ndikimit në dëshmitarë. Gjyqi po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave materiale, në një proces që po vëzhgohet me vëmendje të shtuar për shkak të implikimeve të larta politike dhe juridike në Kosovë.
