Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një deklarate ka rikujtuar se shtetësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të patjetërsueshëm të popullit dhe luftës heroike për liri.
Deklarata e Osmanit vjen pas seancës që po vazhdon ende në Gjykatën Speciale, ku nga Kryeprokurorja Kimberly West nga Prokuroria është kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas Presidentes Osmani, pavarësia e vendit erdhi si pasojë e një sakrifice shekullore, ku humbën jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm. Ajo vuri në dukje se në këtë rrugëtim, roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte vendimtar dhe i shenjtë.
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës,” u shpreh Presidentja.
Tutje Osmani është shprehur se çdo tentative për ta barazuar luftën e UÇK-së me krimet serbe minon drejtësin dhe dëmton paqen.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, shkruan Osmani.
