Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë janë shfaqur për herë të parë para publikut në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë, një ngjarje që shënon një moment të veçantë në jetën kulturore dhe letrare të Shqipërisë. Këto dorëshkrime, që përfaqësojnë një jetë të tërë krijimi, janë ekspozuar në një instalacion poliedrik, që nderon me madhështi dhe respekt jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur shqiptar, i cili ka lënë një shenjë të pashlyer në letërsinë botërore.
Hapja e ekspozitës u bë mbrëmjen e sotme, dhe morën pjesë shumë dashamirës të Kadaresë, familjarë të tij, por edhe figura të njohura të kulturës dhe autoriteteve shtetërore. Drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), Jetona Koçibelli, u shpreh gjatë fjalës së saj se ekspozita nuk është thjesht një shfaqje e veprës së Kadaresë, por një hap në rrugën e zbulimit të thellë të mendimit dhe krijimtarisë së tij. “Vendekspozimi i këtyre dorëshkrimeve rrezikon të mbajë mbi vete peshën e veprave që i japin jetë një pallati ëndrrash të dëshiruara, të mbetura përgjysmë, dhe tani na ngelet ne t’i rrugëtojmë dhe të udhëtojmë përmes tyre siç duhet”, theksoi Koçibelli.
Ekspozita shpalos për publikun një pasuri të papërsëritshme, që përbëhet nga 44,488 faqe dorëshkrimesh të Kadaresë, duke përfshirë romane të pabotuara, poezi, shënime dhe skica që ndriçojnë procesin e tij krijues gjatë gjithë jetës. Ky arkiv letrar ka filluar që në moshën 11-vjeçare të shkrimtarit dhe do të vijojë deri në fund të jetës së tij, duke përbërë një kronikë të pasur të zhvillimit të një artisti, i cili ka krijuar një botë të tërë përmes fjalës.
Për këtë ekspozitë ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, ndërsa drejtori i kësaj institucioni, Ardit Bido, theksoi se veprat e Kadaresë janë një dëshmi e fortë e ngjitjes së shqiptarëve nëpër shekuj, dhe janë një pasuri që duhet ruajtur dhe çmuar. “Kadare është një shkrimtar që gjithmonë ka ngritur lart shqiptarinë dhe kulturën shqiptare, një element i pranishëm në çdo faqe të veprës së tij”, u shpreh Bido.
Një moment prekës ishte fjalimi i vajzës së Kadaresë, e cila shprehu mirënjohjen e familjes për këtë mundësi të veçantë që dorëshkrimet të jenë të ekspozuara dhe të shërbejnë për brezat e ardhshëm. Ajo ndau me të pranishmit një poezi, që e cilësoi si një testament të shkruar herët nga babai i saj. “Një ndjesi krejt e re për mua t’i shoh këtu, pasi kam mësuar t’i shoh këto dorëshkrime të mbështjella në kartona dhe të fshehura në dollape. Kjo është një mundësi që t’i ofrojmë brezi tjetër, pasi këto dorëshkrime janë një kronikë e rrugëtimit të kombit shqiptar”, u shpreh ajo, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për trashëgiminë kulturore.
Ekspozita e dorëshkrimeve të Kadaresë është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar botën e tij të brendshme, procesin e krijimtarisë dhe zhvillimin e ideve që kanë ndriçuar rrugën e letrave shqiptare dhe botërore. Çdo faqe është një hap në një udhëtim që përshkruan jo vetëm veprat e shkrimtarit, por dhe ndjesitë, pasionet dhe dilemat që kanë udhëhequr jetën e tij letrare. Ajo çka është e jashtëzakonshme është se kjo ekspozitë nuk është vetëm një mundësi për të parë krijimtarinë e Kadaresë, por gjithashtu një mundësi për të prekur dhe përjetuar thelbin e mendimit të tij artistik, një univers që është gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të thellësive të reja.
Kjo ekspozitë shënon një pikë kthese për jetën kulturore të Shqipërisë dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për ata që dëshirojnë të njohin më mirë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të./ATSH/