Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot në një konferencë për media se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim juridik lidhur me situatën e krijuar pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Osmani tha se kjo kërkesë është bërë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe për të shmangur dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen në mungesë të një zgjidhjeje politike.
Osmani kërkon pezullimin e rrjedhjes së këtij afati dhe qartësimin e pasojave ligjore, duke shtuar se në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje politike, kërkesa mund të tërhiqet.
“Dua të ju njoftoj që sot, në përmbushje të përgjegjësisë time kushtetuese, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetues. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë, ku pas aktgjykimit i cili ka përcaktuar afatin e detyrueshëm, kanë mbetur vetëm pak ditë dhe nuk shihet ndonjë kompromis. Kërkesa jonë sot në thelb është për qartësimin e pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit për afatin prej 30 ditësh. Kërkesa nuk e paragjykon epilogun, në rast se ka ndonjë sukses ne mund ta tërheqim kërkesën, edhe pse qartësitë që kemi ngritur në këtë kërkesë janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe për të ardhmen. Bashkë me këtë kërkesë kemi kërkuar edhe për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Të parandalohet dëmi i pariparueshëm, dhe të mbrohet interesi publik.”
Osmani theksoi se qëllimi i saj është të parandalohet një krizë kushtetuese dhe të sigurohet funksionimi i rregullt institucional në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.