Mbrëmë, në sallën AMC Hall, një nga momentet më domethënëse dhe emocionalë të recitalit të Adelina Ismailit ndodhi para fillimit të koncertit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi këngëtares Mirënjohjen Presidenciale, si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm që ajo ka dhënë në skenën muzikore shqiptare ndër vite.
Në fjalën e saj, Osmani e përshkroi Adelinën si një ndër figurat më të mëdha të muzikës moderne, një artiste që ka dominuar skenën me talentin e saj të pazëvendësueshëm dhe ka frymëzuar breza të tërë.

Ajo theksoi se prania e Adelinës ka sjellë emancipim, guxim e standarde të reja interpretimi, duke e shndërruar në ikonë të padiskutueshme të muzikës. Ky vlerësim vjen në kuadër të 40-vjetorit të karrierës së këngëtares, rrugëtim i pasur që ka lënë gjurmë në kulturën muzikore.
Adelina Ismaili publikoi edhe mini-albumin e saj të ri, “Grua”, një projekt artistik që është pritur me emocione dhe entuziazëm nga publiku.
Mbrëmja gala vazhdoi me koncertin recital, ku hitet më të suksesshme të karrierës së saj u rikthyen live, duke përmbyllur kështu një natë të mbushur me art, respekt dhe histori. /A.Z/UBT News/
