UBT News

4 mijë euro gjobë për korrupsion për kryeshefin e kompanisë së mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, u dënua me 4 mijë euro gjobë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga gjykatësi Velko Vuqitiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Morina fillimisht u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi më burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 4,000 euro.

Krahas kësaj, ai obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 50 euro, si dhe 50 të tjera në emër të fondit për viktimat e krimit.

Në fund, gjykatësi Vuqitiq bëri të ditur se kundër aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Ndryshe, Morina është deklaruar fajtor në seancën fillestare të mbajtur më 29 qershor.

Aktakuza ndaj Gazmend Morinës është ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Ai akuzohej se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën e tij, i tejkalon kompetencat me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi.

Në aktin akuzues thuhet se me rastin e themelimit të marrëdhënies se punës për të punësuarën Çlirimtare Xhinovci, asistente ekzekutive, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës. Aty thuhet se dispozita e nenit 8, paragrafi 1 i këtij ligji parasheh: “punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”. Kurse paragrafi 2 i nenit në fjalë thuhet se parasheh: “konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar pa asnjë lloj diskriminimi dhe në kundërshtim me dispozitat e nenit 4 par.2, 3, 4, 5, të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, duke punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 5 dhjetori 2018, deri më 5 mars 2019”.

Siç thuhet në aktakuzë, më rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarën Sellma Zaimi – zyrtare ligjore në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Zaimi është punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohe të caktuar nga 22 korriku 2019 e deri më 22 nëntor 2019.

Tutje, sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Sami Pllana – zyrtar për siguri në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Pllana është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 prill 2019 e deri më 31 korrik 2019.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Shyqyri Hasani – mekanik në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Hasani është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 qershori 2019 e deri më 1 tetor 2019.

Sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Muhamet Hajzeri – vozitës në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Hajzeri është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 12 shkurti 2019 e deri më 12 qershor 2019.

Në fund thuhet se më 13 mars 2019, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, neni 48, pika 14, sipas të cilit furnizimet/shërbimet mund të paguhen me para të gatshme kur vlera e tyre nuk tejkalon totalin prej 100 euro, në NTP “Loni Dekor” kishte blerë material për zyre – veshje derës, kauqa, fotele, tavolinë pune, dekor muri, raft katror, tavolinë mesi në vlerë prej 2,680 euro.

Më këto veprime, Morina thuhet ka kryer veprën penale në vazhdim “keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur më nenin 77 të KPRK-së.

Exit mobile version