Të paktën 20 zyrtarë policorë, 12 protestues dhe një gazetar kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të pësuara gjatë përplasjeve të së hënës para Kuvendit të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar tre persona për mosrespektim të urdhrave të forcave të rendit. Me vendim të prokurorit, dy prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas policisë, ndërhyrja me mjete të ligjshme përfshirë sprejin, gazin lotsjellës dhe topat e ujit, erdhi pasi disa protestues hodhën në vazhdimësi mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe sende të forta drejt zyrtarëve policorë dhe objekteve shtetërore. Organet e rendit theksuan se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i domosdoshëm për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës.
Policia e Kosovës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve në terren. /E.A/
