Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” sot shënon 32-vjetorin e themelimit.
Kjo lidhje e arsimtarëve ishte themeluar me qëllim që të kërkonte të drejtat në arsim, duke kundërshtuar planet diskriminuese që Serbia bëri ndaj arsimit në Kosovë.
Lidhja u themelua më 12.12.1990, ku morën pjesë 250 delegatë. LASH-i përcaktoi frymën e një rezistence masovike kundër planeve diskriminuese serbe ndaj arsimit shqiptar në Kosovë.
LASH e organizuar në degë dhe nëndegë brenda dhe jashtë Kosovës mori përgjegjësinë e organizimit të procesit mësimor në të gjitha nivelet e shkollimit. LASH ishte forca kryesore që përcaktoi dhe udhëhoqi zhvillimet e arsimit në Kosovë për një dekadë (1990-1999).
Ajo në bashkëpunim me organet profesionale dhe shkollat e Kosovës iu kundërvu zbatimit të ligjeve diskriminuese të Serbisë. LASH ndërmori hapa të rëndësishëm në përgatitjen e akteve të reja ligjore për funksionimin e sistemit të pavarur të arsimit të Kosovës.
Puna e pavarur në arsim u bë faktor i rëndësishëm në procesin e pavarësisë së Kosovës.