UBT News

30 ditë paraburgim të dyshuarit për krime lufte në Vushtrri

Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi 30 ditë paraburgim Sinisha Spasiqit, i dyshuar për krime lufte në Vushtrri, dhe sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë edhe në një kallëzim penal të dorëzuar më 22 qershor 2022, që lidhet me masakrat ndaj shqiptarëve në zonën e Vushtrrisë.

Gjykata ka bërë të ditur se S.S dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë.

“S.S. dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë”, njoftoi gjykata.

Sinisha Spasiq u arrestua të dielën në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Spasiq ka shërbyer si rezervist aktiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë në një kallëzim penal të dorëzuar më 22 qershor 2022, që lidhet me masakrat ndaj shqiptarëve në zonën e Vushtrrisë.

Exit mobile version