Në një ngjarje të jashtëzakonshme për botën e artit, Laurent Schëarz, një artist i ri vetëm 3 vjeç, ka hapur ekspozitën e tij të parë në Neubeuern, qytetin e tij të lindjes. Pikturat e tij me akrilik kanë tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe artdashësve, me çmime që variojnë nga 10,000 deri në 270,000 euro. Piktura e tij e parë ka arritur oferta edhe më të larta, duke e bërë atë një nga artistët më të kërkuar në tregun e artit.
Babai i Laurentit, Philip Schëarz, shpjegon se interesimi për pikturat e tij është i madh, sidomos për ato të para: “Koleksionistët janë të interesuar për punën e parë. Aktualisht jemi në rreth 325,000 dollarë. Kjo është një shumë e paimagjinueshme.” Ai shton se Laurent do të vendosë vetë nëse do të vazhdojë të pikturojë, dhe se ata nuk kanë asnjë plan për të detyruar fëmijën të ndjekë karrierën artistike.
Laurent filloi të pikturojë një vit më parë gjatë një pushimi në Itali, dhe prej atëherë ka realizuar nga një pikturë në javë. Pavarësisht sukseseve, nëna e tij, Lisa Schëarz, thekson se është e rëndësishme që Laurent të vendosë vetë për pasionin e tij: “Nëse një ditë Laurenti më thotë që nuk mundet më, atëherë kjo është e gjitha dhe gjithçka është në rregull.”
Ekspozita e tij e parë ka tërhequr një numër të madh vizitorësh, përfshirë artdashësit që shpresojnë që talenti i tij të ruhet gjatë rritjes. Një prej vizitorëve, Masçela, u shpreh: “Picasso dikur tha se të gjithë janë artistë kur janë fëmijë, por është e vështirë të jesh artist i rritur. Shpresoj që Laurenti të vazhdojë të realizojë piktura të shkëlqyera.”
Pas prezantimit të tij të suksesshëm në panairin e artit “art.muc” në Mynih në prill 2024, kjo ekspozitë është një hap tjetër në karrierën e tij artistike, duke e vendosur Laurent Schëarz si një emër të njohur në botën e artit që nga një moshë kaq e re./UBTNews/