Më 3 shtator të vitit 1920 përfundoi Lufta e Vlorës, një cikël betejash të zhvilluara nga patriotët shqiptarë kundër forcave ushtarake italiane. Kjo luftë kishte filluar si një kundërshtim ndaj vendimeve të marra nga Konferenca e Paqes në Paris, ku Shqipëria kishte kaluar nën protektorat italian që më 9 dhjetor 1919.
Të revoltuar nga kjo padrejtësi dhe nga okupimi i vendit të tyre, më 29 janar 1920, u formua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Vlorë”, i cili organizoi dhe udhëhoqi luftën për çlirimin e Shqipërisë. Sulmet ndaj garnizonit italian nisën më 6 qershor 1920 dhe përfshinë rreth 20.000 trupa shqiptare, të cilët luftuan në disa lokalitete të rëndësishme, si në gjirin e Vlorës, Ujin e Ftohtë, Vlorë-Kaninë, Panaja, Llogora, Himarë, Selenicë, Gjorme, Matohasanaj dhe Tepelenë.
Me përfundimin e Luftës së Vlorës, forcat italiane u detyruan të tërhiqeshin nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Lufta e Vlorës ishte një moment kyç në historinë e Shqipërisë, që dëshmoi unitetin dhe guximin e shqiptarëve në mbrojtjen e sovranitetit të tyre kombëtar.
Në këto beteja, morën pjesë luftëtarë nga të gjitha zonat e Shqipërisë dhe nga diasporat shqiptare në Amerikë, të udhëhequr nga 12 komandantë nën drejtimin e përgjithshëm të Qazim Koculit. Në zonën e çliruar të Drashovicës, u vendos shtabi i luftës me prefekt Qazim Kokoshin.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka kujtuar, në një postim të saj, moton që shoqëroi luftëtarët e Vlorës, e cila ishte huazuar nga vargjet e poetit të shquar Lasgush Poradeci: “Ja do mbetet Vlora e jona, ja do bëhet gur e hi”. Kjo moto përfaqëson përkushtimin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur dhe çliruar vendin e tyre./UBTNews/