UBT News

27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe

Sot, kur shënohet 27-vjetori i masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe asaj në Burim të Malishevës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar viktimat e krimeve barbare të kryera nga regjimi serb në marsin e vitit 1999.

Përmes një komunikate për media, Presidentja Osmani ka theksuar se këto akte ishin pjesë e një makinerie vrasëse që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, duke rikujtuar se më 31 mars 1999, në fshatin Pastaselë të Rahovecit, forcat serbe ekzekutuan brutalisht 106 civilë të pafajshëm.

E para e shtetit u shpreh se në Pastaselë u shpërfaqën përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor, duke e cilësuar këtë si një akt të qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli.

“Në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli,” u shpreh Osmani.

Ajo kujtoi gjithashtu se nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, të cilët sot mbajnë mbi supe peshën e rëndë të dëshmisë për tmerrin e përjetuar.

Në të njëjtën ditë, makineria vrasëse e Serbisë goditi edhe fshatin Burim të Malishevës, ku u ekzekutuan mizorisht 42 civilë të tjerë.

Presidentja potencoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, duke bërë thirrje që autorët e këtyre krimeve të dalin para përgjegjësisë dhe duke përfunduar mesazhin e saj me nderimin se qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri.

Exit mobile version