UBT News

27-vjet nga masakra e Dubravës

Masakra në Burgun e Dubravës konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ndërmjet 19 dhe 24 majit 1999, forcat serbe vranë 116 të burgosur shqiptarë dhe plagosën 185 të tjerë brenda burgut të Dubravës, ndërsa veprimtari dhe intelektuali Ukshin Hoti u zhduk me dhunë.

Në 27-vjetorin e kësaj masakre, u bënë homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve. Të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë, ish-të burgosur politikë dhe familjarë të viktimave.

Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se emrat e viktimave të Dubravës janë “aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim”.

Tutje, Kurti u shpreh se Dubrava mbetet një akt dëshmie për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve.

“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej para torturave në burgjet serbe”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se Republika e Kosovës ka obligim që të ruajë kujtesën për krimet e luftës dhe të kërkojë drejtësi për viktimat.

Exit mobile version