Ditën Botërore të Teatrit – 27 Marsin Mitrovica e shënon me shfaqjen “Kontesha Arduini” komedi nga Aldo de Benedetti e në regji të Marigona Bekteshi-Ferati.
Sonte mbahet Premiera e kësaj shfaqjeje në Teatrin “Muharrem Qena në Mitrovicë.
“Kontesha Arduini”, një histori magjepsëse që nuk duhet humbur e cila vjen me regji nga Marigona Bekteshi Ferati e cila njëherësh është dhe staf akademik në UBT.
Në këtë shfaqje do të luajnë: Artan Hetemi – Snupa TC, Qendresa Jashari Mirsad Ferati, Arbnorë Nuha. Ngjarja ndodhë në familjen Verani! Të lodhur nga monotonia e jetës, çifti ndjen nevojën për tu “arratisur” nga përditshmëria e tyre. Zonja Marina Verani shkon në pushime e vetme, pa bashkëshortin me qëllimin se atje do të gjejë rininë e saj dhe të ndjehet sërish e vlerësuar, mbase edhe tërheqëse për të panjohurit.
Zotëri Alberto Verani, i mbetur në qetësinë e shtëpisë, dëshiron që këtë “javë lirie” ta shfrytëzojë në maksimum dhe për fatin e tij të keq apo të mirë, merr një telefonatë të gabuar nga “Kontesha Arduini”, një grua misterioze që porosit dy buqeta me trëndafila të kuq.
I joshur nga kjo rastësi magjepsëse, zotëri Verani, vendos të luajë me fatin dhe t’i dërgojë trëndafila Konteshës Arduini, duke shtuar një poezi romantike dhe një nënshkrim enigmatik – Misteri.
Por, në një kthesë të papritur të fatit, gruaja kthehet para kohe në shtëpi dhe i gjen buqetat me trëndafila dhe poezinë mbi tavolinë.
Ajo që nis si një lojë e pafajshme, shndërrohet në stuhi pasionesh kur zonja Verani fillon të dashurohet marrëzisht me admiruesin e saj Misterioz, pa e ditur se ky “i dashuruar” është pikërisht burri i saj!
Avokati Saveli dhe Shërbëtorja Rozina, janë dy personazhet tjera që me idetë dhe “ndihmën” e tyre absurde, kontribuojnë në një mori keqkuptimesh që dalin krejtësisht jashtë kontrollit, situata arrin kulmin e saj në një rrëmujë plot të qeshura, romancë dhe mister.
Një komedi brilante ku një tufë trëndafilash bëhet shkak për një dashuri të rindezur, xhelozi të pabazuar, dhe një lojë të ëmbël ku askush nuk është ai që duket… derisa e vërteta vjen dhe shpërthen në mënyrën më gazmore të mundshme. /UBT News/