Sot bëhen 26 vjet nga vrasja e gazetarit, publicistit dhe veprimtarit politik, Xhemail Mustafa, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Mustafa u vra më 23 nëntor 2000, në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania të Prishtinës, nga persona të panjohur që e qëlluan me armë zjarri.
I lindur më 23 gusht 1953 në Gllamnik të Podujevës, Mustafa ishte një figurë e njohur e jetës politike dhe publicistike në Kosovë. Ai e nisi karrierën si gazetar në gazetën “Rilindja“, në vitin 1978, ndërsa më vonë u bë një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përveç angazhimit politik, ai ishte i njohur edhe për veprimtarinë e tij letrare. Gjatë jetës botoi librat „Mrekullia e shkrimit“ dhe „Një lutje për Prishtinën“, duke lënë gjurmë në publicistikën dhe kulturën shqiptare.
Mustafa ishte këshilltar i afërt për media i Ibrahim Rugovës dhe një nga zërat e njohur të LDK-së.
Vrasja e tij, e ndodhur në periudhën e pasluftës, tronditi opinionin publik në Kosovë.
Në këtë përvjetor ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka kujtuar Mustafën dhe ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.
“Xhemail Mustafa nuk u vra vetëm si njeri, intelektual e atdhetar. Me të u plagos ndërgjegjja e Kosovës, që ende kërkon drejtësi”, ka shkruar Osmani.
Edhe pas 26 vjetësh, vrasja e Xhemail Mustafës mbetet e pazbardhur, ndërsa autorët e këtij krimi ende nuk janë vënë para drejtësisë. /E.A/
