Sot, më 23 prill, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, një datë që synon të nxisë leximin, të promovojë krijimtarinë dhe të rrisë vetëdijen për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorëve.
Kjo ditë e veçantë ka origjinën nga tradita e Katalonisë në Spanjë, ku lexuesve që blinin libra u dhurohej edhe një trëndafil – një simbol i bukur i dashurisë për librin dhe dijen.
Data 23 prill nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo lidhet me jetën dhe veprën e disa prej figurave më të mëdha të letërsisë botërore, si William Shakespeare, Maurice Druon, Halldór Laxness, Vladimir Nabokov dhe Josep Pla. Që nga viti 1995, UNESCO e ka shpallur zyrtarisht këtë datë si Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që kanë librat dhe krijuesit në zhvillimin kulturor dhe shoqëror.
Në shumë vende të botës organizohen aktivitete të ndryshme si panaire libri, lexime publike, diskutime letrare dhe fushata ndërgjegjësuese, të cilat synojnë të rikujtojnë rëndësinë e leximit dhe mbështetjes së autorëve.
Dita e sotme shërben si një thirrje për të gjithë që të afrohen më shumë me librin – një burim i pashtershëm dijeje, imagjinate dhe zhvillimi personal.
