Në këtë ditë, 3 nëntor, shënohen 224 vjet nga lindja e Vincenzo Bellini-t (1801–1835), një prej kompozitorëve më të shquar të operës italiane dhe një figurë qendrore e epokës Bel Canto.
Vincenzo Salvatore Carmelo Francesco Bellini u lind në Siçili, në një familje muzikantësh, ku talenti i tij u dallua që në moshë të hershme.
Ai fitoi bursë për të studiuar në Kolegjin Mbretëror të Muzikës, ku përvetësoi elementët e Shkollës Napolitane, u ndikua nga mjeshtra si Rossini e Donizetti.
Opera e tij e parë, “Adelson e Salvini”, u shkrua për konservatorin, ndërsa “Bianca e Fernando” u vu në skenë në Teatro di San Carlo
Pas suksesit të “Il Pirata” në La Scala të Milanos, karriera e Bellini-t mori hov. Në vitet që pasuan, krijoi disa nga veprat më të rëndësishme të repertorit, si:
“I Capuleti e i Montecchi” (1830, La Fenice),
“La Sonnambula” (1831, Teatro Carcano),
dhe kryevepra e tij e pavdekshme “Norma” (1831, La Scala).
Pas një udhëtimi në Londër, shkroi “I Puritani”, e cila u vu në skenë më 1835 në Théâtre-Italien të Parisit, duke shënuar kulmin e karrierës ndërkombëtare.
Fatkeqësisht, Bellini vdiq i ri, në moshën 33-vjeçe, në Puteaux të Francës, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore që vazhdon të frymëzojë breza me radhë. Vepra e tij u admirua nga shumë figura të mëdha të muzikës.
Verdi e quajti mjeshtër të melodisë, ndërsa Wagner, megjithëse kritik ndaj bashkëkohësve të tij, u mahnit nga mënyra sesi Bellini ndërthurte tekstin dhe muzikën. Liszt dhe Chopin ishin gjithashtu admirues të zjarrtë të tij.
Sot, operat e tij si “Il Pirata”, “I Capuleti e i Montecchi”, “La Sonnambula”, “Norma” dhe “I Puritani” vazhdojnë të interpretohen në skenat më të mëdha të botës, duke dëshmuar për gjenialitetin dhe ndjeshmërinë melodike të këtij kompozitori të jashtëzakonshëm. /A.Z/UBT News/
