UBT News

211 punonjës në ministri paguhen pa shkuar fare në punë, paralajmërohen masa

Para anëtarëve të Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike sot ka raportuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca ku kanë shqyrtuar edhe raportin vjetor të auditimit për vitin 2020.

Krahas të gjeturave nga ZKA-ja, temë diskutimi në këtë mbledhje u bë edhe pagesa për nëpunësit civil të cilët nuk shkojnë në punë, por marrin paga.

Derisa ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se në këtë drejtim kanë marrë veprime dhe se mjafton vetëm që organizatat buxhetore t’i bëjnë të ditur emrat e këtyre personave dhe kjo ministri do ndërmarrë masa, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami nga LDK tha se zgjidhjen e kësaj çështjeje e sheh si një problem politik.

Krejt debati nisi kur anëtarja e këtij komisioni, Mirlinda Sadiku nga Lëvizja Vetëvendosje u interesua të di më shumë se çka po bënë Ministria e Financave me punëtorët që cilët nuk vijojnë fare në punë.

Sipas saj, janë identifikuar 211 punonjës në 7 ministri të cilët paguhen pa punuar fare.

“Janë identifikuar 211 punonjës në ministri dhe shuma e pagesës së tyre është mbi 1 milion euro pa vijuar fare në punë. Ne e dimë që kjo buron nga marrëveshja e Brukselit por ne si komision kemi dhënë raport për disa ministri të jepet një raport se faktikisht kjo është pabarazi ndaj atyre punëtorëve që punojnë në ato institucione dhe këta marrin pagë pa punuare hiq”, u shpreh ajo.

Por pas kësaj reagoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hymete Bajrami, e cila tha se këtë gjë nuk mund ta bëjë Ministria e Financave, dhe se më shumë kjo çështje është problem politik.

Sipas saj, janë organizatat buxhetore të cilat duhet ta njoftojnë Ministrinë e Financave se kush punon dhe kush jo.

“Prapë mendojë se ky është një problem politik. Nëse nuk është problem politik dhe nuk e ka Vetëvendosja ja ku e kemi drejtorinë e Thesarit, drejtorinë e buxhetit, ministrinë dhe pyeti nëse janë duke u paguar dhe unë jam shumë e sigurt se janë duke u paguar sepse nëse ishin ndal pagat e këtyre punëtorëve ne e kishim parë në medie deri më tash mos të them 10-tra herë apo më shumë“, theksoi Bajrami.

E ndërprerje të këtyre lloj pagesave ka kërkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani i cili tha se këto pagesa nuk duhet të vazhdojnë tutje pasi nuk paraqesin asnjë problem politik.

Ndërsa, shkurt deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ia ktheu duke i thënë quaje çfarë problem të duash vetëm rregulloje!

Albana Bytyqi e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i tha deputetit të LVV-së, Eman Rrahmani se nëse ka punëtorë të tillë që paguhen pa punuar, merrni masa në këtë drejtim.

Pas kësaj drejtori i Thesarit, Ahmeti Ismaili tha se aspektin e pagesës së nëpunësve civil që nuk shkojnë në punë nuk e sheh aspak problem politike. Sipas tij, për këta emra duhet t’i njoftojë organizata dhe se për çdo këndë që janë njoftuar se kanë normë pune zero, atëherë edhe paga është zero.

Shpjegime për këtë çështje dha edhe vetë ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili u shpreh se kanë marrë veprime në këtë drejtim me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë.

Ai vetëm kërkoi nga ministritë emrat e punëtorëve që nuk vijojnë punën dhe ndaj tyre do merren masa.

“Neve ministritë tjera na tregojnë se kush është duke punuar dhe kush nuk është duke punuar sa i përket asaj se a ka mundësi me u marr veprime të tilla a janë politike apo jo ne vetëm kemi marr veprime të tilla sa i përket zbatimit të ligjshmërisë ka edhe komuna serbe që për shkak të mos koordinimit dhe mos aranzhimit si duhet të kodeve buxhetore nuk kanë marr paga nuk ka ndërlidhje me këtë. Krejt çka duhet është organizatat buxhetore me na njoftuar neve kush janë cilët janë persona se ka persona që 1 muaj shkon dhe 1 muaj jo është organizata buxhetore që duhet të na njoftoj dhe ne veprojmë i marrim të gjitha masat”, theksoi Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se arsyeja e marrjes së kredive dhe tashmë mosimplementimit të projekteve është sepse projektet janë nënshkruar pa u bërë një studim i mirë.

Ndërsa në implementim të projekteve si telash ai ka theksuar edhe aspektin e shpronësimit të pronave.

Auditorja e Zyrës së Përgjithshme të Auditorit, Vlora Spanca lidhur me raportin financiar të vitit 202O, tha se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit.

Sipas saj, pasqyrat financiare të qeverisë janë mbivlerësuar për 42 milionë euro për shkak se të hyrat vetanake nga viti paraprak ishin përfshirë në planin buxhetor 2020.

Spanca gjatë raportimit tha se shpenzimet prej 18 milionë eurosh ishin klasifikuar nëpër kategori jo adekuate.

Spanca shtoi se me qëllim të mbulimit të deficiteve buxhetore borxhi i përgjithshëm publik ishte rritur për 300 milionë euro dhe tani ka arritur shifrën prej 1.5 milionë.

Exit mobile version