Një 21-vjeçar nga Kosova, Hektor Avdyli, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me akuza federale për mashtrim kibernetik, shitjen e të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit dhe vjedhje të identitetit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ndihmës Prokurori i Parë i SHBA-së për Distriktin Lindor të Wisconsin-it, Brad D. Schimel, i cili ka njoftuar se Avdyli është sjellë në SHBA për t’u përballur me akuzat që lidhen me aktivitetin e tij të dyshuar në forume kriminale në rrjetin e errët (Dark Web).
Sipas autoriteteve amerikane, Avdyli dyshohet se përdorte forume të ndryshme në internet për të reklamuar dhe shitur informacione të vjedhura të kartave të kreditit, të cilat mund të përdoreshin për mashtrime financiare.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga një juri e madhe federale në Milwaukee në tetor të vitit 2025. Ai ngarkohet me disa vepra penale, përfshirë mashtrimin përmes komunikimeve elektronike, mashtrimin me pajisje të aksesit dhe vjedhjen e rënduar të identitetit.
FBI bleu më shumë se 27 mijë numra të kartave të vjedhura
Sipas dokumenteve të gjykatës, Avdyli dyshohet se përdorte pseudonime të ndryshme në forumet kriminale dhe pretendonte se vidhte informacione financiare nga faqet e internetit të blerjeve përmes programeve dashakeqe.
Si pjesë e hetimit, agjentët e FBI-së blenë në mënyrë të fshehtë më shumë se 27 mijë numra të kartave të kreditit të vjedhura, së bashku me të dhënat personale të mbajtësve të tyre.
Të dhënat përfshinin numrat e kartave, kodet e verifikimit CVV, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe adresat elektronike. Në mesin e tyre ishin edhe informacione të rreth 300 personave me adresa në shtetin e Wisconsin-it.
Hetimet çuan në identifikimin e shitësit si Hektor Avdyli, shtetas i Kosovës.
Në një hard disk u gjetën rreth 2.7 milionë numra të kartave
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se gjatë hetimeve, në njërin prej hard disqeve të sekuestruara të të dyshuarit, janë zbuluar rreth 2.7 milionë numra të kartave të pagesës, përfshirë karta krediti, debiti dhe karta dhuratash, si dhe informacione personale të lidhura me to.
Në korrik të vitit 2026, autoritetet e Kosovës e arrestuan Avdylin në bazë të kërkesës së FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Pas përfundimit të procedurave përkatëse, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Më 20 nëntor 2026, 21-vjeçari u paraqit para gjykatësit federal të magjistraturës, William E. Duffin, në Milwaukee të Wisconsin-it, i cili urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim deri në vazhdimin e procedurave gjyqësore.
Prokurori amerikan: I dyshuari është në paraburgim në tokën amerikane
Duke njoftuar për ekstradimin, Brad D. Schimel tha se vjedhja e identitetit dhe e të dhënave financiare në internet vazhdon t’u shkaktojë dëme të mëdha konsumatorëve amerikanë.
Ai e cilësoi rastin si zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik, duke theksuar se i dyshuari tashmë ndodhet në paraburgim në SHBA për t’u përballur me ndjekjen penale.
Edhe agjenti special i FBI-së në Milwaukee, Alan Karr, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë rast, duke thënë se hetimi u zhvillua përtej kufijve shtetërorë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht personin që dyshohet se qëndron pas skemës së mashtrimit kibernetik.
Në hetimin dhe ekstradimin e Avdylit ndihmuan Zyra e Çështjeve Ndërkombëtare e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe autoritetet e Kosovës, ndërsa Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së asistoi në transportimin e tij drejt Amerikës.
Ndjekja penale e rastit po zhvillohet nga Ndihmës Prokurori i SHBA-së, Benjamin Proctor, në Distriktin Lindor të Wisconsin-it.
Autoritetet amerikane kanë theksuar se akuzat e paraqitura në aktakuzë ende duhet të provohen në gjykatë dhe se Hektor Avdyli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të dëshmohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm./A.K/
