Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth zhvillimit të infrastrukturës së sportit në Kosovë, përfshirë edhe ndërtimin e stadiumit nacional. Ai ka thënë se tashmë ka nisur rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, teksa punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar 9 milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajt. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot, teksa janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.
Pjesë e planit pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së fushave sportive të futbollit janë edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (“Riza Lushta”), Podujevë dhe Drenas.
“Vlera totale e investimeve në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro, teksa gjatë këtij viti do të nisin procedurat për stadiumin nacional të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Plani pesëvjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes Qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit të Kosovës dhe i njëjti i është prezantuar dhe ka marrë mbështetjen e FIFA-s dhe UEFA-s.