Armata i është bashkuar edhe këtë vit iniciativës për promovimin e filmave evropianë, në kuadër të partneritetit me @europeanfilmacademy.
Nga nëntori deri në janar, do të shfaqen filma të metrazhit të gjatë evropian, si pjesë e European Award Season dhe Lux Audience Award.
Filmi i radhës që do të prezantohet është “Jeanne Dielman, 23 quai du Commerce, 1080 Bruxelles” i regjisores Chantal Akerman, i vitit 1976. Shfaqja është planifikuar për më 10 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00.
Ky film ndjek tre ditë nga jeta e përditshme e Jeanne Dielman, një gruaje të ve, që jeton me djalin e saj adoleshent në Bruksel.
Me një ritëm të ngadaltë dhe rigoroz, filmi dokumenton rutinën e saj të shtëpisë: gatimin, pastrimin, pazarin dhe ritualet e përditshme.
Për të përballuar financat, Jeanne pranon klientë në shtëpi dhe kryen marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.
Me kalimin e ditëve, një çarje e ngadaltë fillon të shfaqet në rutinën e saj perfekte, dhe veprime të vogla jashtë zakonshmërisë tregojnë shpërbërjen e kontrollit të saj emocional. Kulmi i tensionit shpërthen në një akt të papritur që prish qetësinë e saj të jashtme.
Filmi trajton tema të rëndësishme si puna e papaguar e grave, monotoninë urbane, presionin social mbi feminitetin dhe izolimin psikologjik. Në vitin 2022, revista Sight & Sound e renditi këtë film në vendin e parë të listës së 100 filmave më të mirë të të gjitha kohërave.
Chantal Akerman (1950–2015) ishte regjisore, skenariste dhe artiste belge, një nga zërat më të rëndësishëm të kinemasë eksperimentale.
E lindur në Bruksel në një familje hebreje polake, ku nëna e saj ishte mbijetuar e Auschwitz-it, kjo përvojë ndikoi në temat e shumë filmave të saj, duke përfshirë motivet e traumës, shtegtimit dhe identitetit. /A.Z/UBT News/
