Para disa ditësh u shënua përvjetori i lindjes së piktorit të njohur holandez Vincent Willem van Gogh, një nga figurat më të rëndësishme të artit modern botëror.
Van Gogh lindi më 30 mars 1853 në Groot-Zundert të Holandës, në një familje me prapavijë fetare, ku i ati ishte pastor. Që në moshë të re ai nisi të merrej me art, duke punuar fillimisht si shitës veprash artistike, ndërsa më vonë iu përkushtua plotësisht pikturës.
Gjatë jetës së tij, Van Gogh kaloi periudha të vështira emocionale dhe ekonomike. Veprat e tij fillimisht karakterizoheshin nga tone të errëta, por pas kontaktit me piktorët impresionistë si Claude Monet, Camille Pissarro dhe Paul Gauguin, ai ndryshoi stilin duke përdorur ngjyra më të çelura dhe më të guximshme.
Jeta e tij personale u shoqërua me sfida të mëdha psikologjike. Një nga episodet më të njohura mbetet ai i vitit 1888, kur, sipas biografëve, ai preu një pjesë të veshit pas një konflikti të fortë. Gjendja e tij mendore u përkeqësua me kalimin e viteve.
Më 27 korrik 1890, Van Gogh qëlloi veten dhe ndërroi jetë dy ditë më pas, në moshën 37-vjeçare, në Francë.
Edhe pse gjatë jetës nuk arriti të shesë shumë piktura, sot ai konsiderohet një nga artistët më të mëdhenj në histori. Veprat e tij, si “Kafja e natës”, mbeten dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm që lëkundej mes gjenialitetit dhe vuajtjes së thellë njerëzore.
