Plot 15 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Lipjan, pasi të njëjtit dyshohet se janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshjeje të ashpër lidhur me një pronë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur pasditen e së mërkurës, rreth orës 18:20. Si pasojë e kësaj përleshjeje masive, lëndime trupore kanë pësuar 11 persona, të cilët janë detyruar të pranojnë tretman mjekësor.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit dhe arrestimit të të gjithë të përfshirëve, rasti ka kaluar në duart e prokurorisë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, 10 nga të dyshuarit janë dërguar menjëherë në mbajtje, ndërsa ngjarja po hetohet nën cilësimin e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”. /E.A/
