UBT News

14 vjeçarja me synime të larta në atletikë

Enilda Zeqiri është 14 vjeçarja e cila merret me sportin e atletikës. Ajo është kampione në Kosovë për grupmoshat U-14 dhe U-16 kurse në grupmoshat më të mëdha se ajo, ato të U-18 e mban vendin e tretë në kërcim për së gjati.

Karriera e saj filloi në moshën 11 vjeçare talentin e së cilës e dalloi arsimtari i saj e tani është trajneri i saj.

Unë si atlete kam filluar që nga mosha 11 vjeçare. Si fëmijë nga klasa parafillore kur u mbajtën garat e vrapimit në shkollë, çdo herë në pjesën e vajzave zura vendin e parë dhe çdo mësues të cilët ishin prezent më motivonin që të vazhdoj tutje. Në fillim të klasës së gjashtë në lëndën e edukatës fizike, arsmitari Emin Grajçevci kishte klubin e atletikës “Blinaja” dhe më ftoi që të filloj në atë klub pasi që e kishte parë që mundem të arrij diçka në të ardhmen, më pas fillova të marr pjesë në gara dhe e shihja vetën që më fle shpirti në këtë sport dhe vendosa të vazhdoj“, tha ajo.

Vështirësia nuk e ndaloi atë të ndjek ëndrrën e saj edhe pse e potencoi se Kosova lë shumë për të dëshiruar për kushtet e punës së atletikëve.

Në fillim ka qenë e vështirë deri sa u ambientova, por pas një periudhës fillova të mësohem dhe të punoj me shumë dëshirë. Sukseset dhe rekordet e arritura më motivuan edhe më shumë. Sa i përket kushteve në Kosovë për atletikë nuk janë edhe shumë të mira dhe uroj shumë që në të ardhmen e afërt të merret ky sport më shumë parasysh nga organet kompetente“, theksoi ajo.

Synimi i saj është të vazhdoj me këtë ritëm e të thyej edhe rekorde tjera e po ashtu në të ardhmen e afërt të garoj edhe në Evropë.

Për fund ajo dha një mesazh për të gjitha ato që merren me sportin e atletikës.

Të gjitha vajzat që merren me atletikë iu sygjeroj të vazhdoni tutje. Në fillim është pak e vështirë por është një gjë shumë e mirë, duke e parë që mbroni edhe shëndetin tuaj. Ndoshta dështoni në ndonjë garë por mos u dorëzoni sepse ka edhe shumë gara të tjera që ju do i arrini, edhe më shumë se ju mendoni. Vajza, atletika është mbretëresha e sporteve”, përfundoi Zeqiri. /UBTNews/

Exit mobile version