UBT News

14 fëmijë kanë humbur jetën nga zjarri në repartin e gjinekologjisë në një spital në Pakistan

Të paktën 14 fëmijë kanë ndërruar jetë pas shpërthimit të një zjarri në repartin e lehonisë të një spitali në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

Ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll dhe të lënduarit janë dërguar në repartin e kujdesit intensiv.

Zjarri shpërtheu në katin e tretë të repartit të nënës dhe fëmijës në spitalin PIMS, një nga spitalet kryesore shtetërore të qytetit. Sipas zëdhënësit të spitalit, në atë moment në repart ndodheshin 15 foshnja të sapolindura.

Automjetet satelitore të televizioneve tani janë rreshtuar jashtë rrethimit të spitalit, duke pritur lajme të reja.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka nxjerrë një deklaratë ku shpreh “dhimbje të thellë dhe keqardhje nga zemra” për zjarrin në spital. Sharif ka udhëzuar autoritetet të “kryejnë një hetim të menjëhershëm”, sipas deklaratës nga zyra e tij.

“Një situatë e tillë me fëmijët është e papërmirësueshme”, vazhdon deklarata. Sharif shpreh “ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet e fëmijëve të pafajshëm”, duke shtuar se “zemra e tij është e pikëlluar nga ky incident tragjik”.

Gjetjet nga hetimi për zjarrin priten brenda 24 orëve

Magjistrati i Rrethit të Islamabadit ka ngritur një komision për zbulimin e fakteve për të hetuar zjarrin, i cili duhet të nxjerrë një raport “brenda 24 orëve”, sipas një dokumenti zyrtar.

Komisionit i është caktuar detyra të “vërtetojë faktet dhe të përcaktojë shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit”.

Siç raportuam më herët, kryeministri Shehbaz Sharif ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm për zjarrin që u mori jetën 14 foshnjave të sapolindura. /BBC/ – Foto- Reuters

 

Exit mobile version