Whitney Houston, një prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, u nda nga jeta me 11 shkurt të vitit 2012, në orën lokale 15.55 në hotelin Beverly Hilton të Beverly Hillsit, ku ishin mbledhur artistët që morën pjesë në mbrëmjen e çmimeve muzikore Grammy.
48 vjeçarja Houston pati një jetë të mbushur me sukses, zhgënjime, probleme dhe arritje artistike si askush tjetër. Nga mesi i viteve 1980 deri në fundin e viteve 1990, ajo ishte vajza e artë e industrisë së muzikës amerikane, e cila shënoi një shifër rekord shitjesh të albumeve të saj, 55 milion vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Më 1985 hodhi në treg albumin e parë me titull “Whitney Houston” i cili u shit miliona kopje anembanë botës, kurse në vitin 2009 ajo u rikthye suksesshëm me albumin “I look to you”, por pjesëmarrjet e saj në koncerte lanë shumë për të dëshiruar.
Jeta 48 vjeçare e Whitney Houston, ishte jeta e një dive të muzikës e cila në momentet e saj të arta solli kulme të papërsëritshme në muzikën amerikane e botërore.
Përndryshe, një nga projektet që u shndërrua në hit e që dëgjohet gjithandej sot e asaj dite është “I Will Always Love You”. /UBT News/