UBT News

125 vite pa Naim Frashërin, figurën qendrore të Rilindjes Kombëtare

Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në fshatin Frashër të Dangëllisë. Arsimin fillestar e mori në vendlindje, ku pranë teqesë bektashiane filloi të mësonte edhe gjuhën perse.

Më 1865, familja e tij u shpërngul në Janinë, ku Naimi vijoi studimet në gjimnazin “Zosimea”,  një ndër shkollat më të njohura të kohës.

Pas kthimit në atdhe, nisi hapat e parë në krijimtarinë poetike shqipe, i ndikuar nga bejtexhinjtë dhe më pas nga letërsia persiane.

Në vitin 1885, botoi përmbledhjen poetike në persisht “Tehajylat” (Ëndërrime). Frashëri mori pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, sidomos në mbledhjen e degëve të Jugut që u mbajt në Frashër më 1878.

Ai u përkushtua me pasion ndaj zgjimit kombëtar, duke promovuar gjuhën shqipe, letërsinë kombëtare dhe arsimimin në gjuhën amtare. Synimi i tij ishte që çdo shqiptar të kishte mundësinë të mësonte dhe të përparonte në gjuhën e vet.

Më 1882, Naimi u vendos në Stamboll, ku u angazhua në mënyrë të palodhur në veprimtarinë atdhetare, arsimore dhe kulturore.

Me punën e tij të frytshme, u bë një ndër figurave qendrore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe u quajt me nder “Apostulli i Shqiptarizmës”. Gjatë më pak se dy dekadave, ai botoi një krijimtari të gjerë në disa gjuhë, shqip, persisht dhe greqisht – duke lënë pas poezi, poema, tekste shkollore, prozë dhe përkthime. Ndër veprat e tij më të njohura janë:

“Bagëti e Bujqësija” (1886) – një himn për jetën bujqësore dhe dashurinë për atdheun;

“Luletë e verësë” (1890) – përmbledhje me poezi lirike, filozofike dhe atdhetare;

“Istori e Skënderbeut” (1898) – poemë epike kushtuar heroit kombëtar;

“Ëndërrime” – lirika në persisht;

“O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886) – poemë në gjuhën greke që pasqyron idealin e lirisë shqiptare.

Krijimtaria e Frashërit vazhdon të botohet, lexohet dhe studiohet si një gur themeli i letërsisë shqipe dhe i vetëdijes kombëtare.

Naim Frashëri ndërroi jetë në Stamboll më 20 tetor 1900. Në vitin 1937, eshtrat e tij u sollën në atdhe dhe sot prehen me nderime në Memorialin e Rilindësve Kombëtarë në Tiranë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version