UBT News

100 respiratorë i dhurohen Ministrisë së Mbrojtjes

100 respiratorë i janë dhuruar Ministrisë së Mbrojtjes nga shteti i Norvegjisë, donacion ky që arrin vlerën rreth një milion euro duke përfshirë edhe trajnimin për stafin e Qendrës Mjekësore të FSK-së. Në kuadër të misionit që ka, me këta respiratorë FSK do të mund t’u dalë në ndihmë edhe spitaleve të tjera në Kosovë në përballje me pandeminë, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi ka pranuar zyrtarisht donacionin, në një konferencë për media, tha se i njëjti ka një rëndësi të madhe, sidomos për shkak të situatës në të cilën ndodhemi si pasojë e pandemisë.

“Donacioni i sotëm përfshinë sasinë prej 100 respiratorë dhe kap vlerën, tash këtu inkuadrohet me trajnime, suportin që do të na jap, rreth një milion euro, duke përfshirë këtu edhe trajnimet, gjithashtu si rezultat i kësaj FSK do të ketë në dispozicionin në komponentën shumë të rëndësishme përmbushjen efikase të detyrës së saj ligjore për mbështetjen ushtarake dhe autoritetet civile. Me këtë donacion zgjerohet edhe fushëveprimi në Qendrën Mjekësore të FSK-së, do të jetë edhe më prioritet funksionalizimi i saj si klinikë moderne dhe do të jetë në shërbim të popullatës dhe ushtarëve të FSK-së”, tha ai.

Ani pse donacioni është i është dhuruar Ministrisë së Mbrojtjes, Mehaj tha se këta respiratorë mund t’u dalin në ndihmë edhe spitaleve të tjera, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

“Ky donacion është i dedikuar direkt Ministrisë së Mbrojtjes por ne sipas nevojave tona, ato teprica do i shpërndajmë, jemi duke pritë edhe certifikimin tash të detajuar për çdo pajisje, është në proces. Trajnimi nisë javën që vjen kur të na vinë edhe ato, bashkë me drejtorin do të shohim me i shpërnda ndihmat ku ka nevojë”, tha Mehaj.

E ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grongahl tha se po e mbështesin FSK-në në aspektin mjekësor.

“Ne po jetojmë në një kohë shumë të vështirë tani me pandeminë dhe jemi shumë të nderuar që jemi në gjendje të sigurojmë këtë donacion për Kosovën, është një mbështetje në aspektin mjekësor për FSK-në dhe gjithashtu për gatishmërinë dhe pajisjet emergjente të FSK-së. Pra, siç tha Ministri Mehaj, ne do të bashkëpunojmë dhe gjithashtu do të sigurojmë trajnime për stafin e FSK-së që të jenë në gjendje të punojnë me këto pajisje dhe t’i përdorin ato në situatat dhe operacionet e ardhshme”, tha ai.

Që prej përhapjes së koronavirusit, në kuadër të misionit të saj, FSK ka qenë në gatishmëri, dhe ka ndihmuar institucionet e tjera në luftën kundër COVID-19.

Exit mobile version