Figurat më eminente të sportit botërorë zbarkuan në Kosovë me ftesë të Komitetit Olimpik (KOK) të Kosovës për të festuar së bashku 10 vjetorin e anëtarësimit të kësaj të fundit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach, ai i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Davide Tizzano, si dhe presidentë të shumë federatave sportive ndërkombëtare, dhe personalitete tjera nga sporti botëror ishin pjesë e kësaj galambrëmje ku u festua ky përvjetor me shumë suksese të Kosovës në sport në arenën ndërkombëtare.
Anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar e cilësoi si “ngjarje hisorike” për Kosovën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai tha se Kosova edhe pse vend i vogël, i tregoi botës se me punë, besim e përkushtim mund të arrihet diçka më shumë se sa mund të imagjinohet dhe se kjo do të dëshmohet edhe në vitet e ardhshme.
“Gjatë këtyre 10 viteve e dimë që rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, ka pasur sfida, ka pasur dyshime por më shumë se çdo gjë tjetër ka pasur besim dhe guxim…Kosova edhe pse një shtet i vogël ka treguar se ka një potencial të madh një kështjellë të pamposhtur dhe ëndrra të mëdha. Pesë medaljet tona olimpike, katër në Lojërat Evropiane, triumfet në Lojërat Mesdhetare, sukseset në kampionatet botërore dhe evropiane janë dëshmi se kur besojmë në veten tonë asnjë kufi nuk është i pamundur. Ne kemi dëshmuar se mund të arrihet gjithçka, ndoshta madje më shumë se sa kishim menduar vetëm duke pasur besim dhe duke punuar me përkushtim”, ka thënë Krasniqi.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se ky 10 vjetor e gjen Kosovën me shumë suksese të jashtëzakonshme të arritura në sport.
Ajo shtoi se sportistët e Kosovës po bëjnë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nëpër botë dhe se ata janë shtylla kryesore dhe ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe imazhit të saj në arenën ndërkombëtare dhe kjo u dëshmua me xhudisten Majlinda Kelmendi e cila tashmë është bërë frymëzim edhe për sportistët e rinj në të gjithë botën.
“Rrugëtimi i sportistëve të Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm nga fitimi i medaljeve olimpike deri të mbajtja e flamurit me krenari në skenën ndërkombëtare. Ata i kanë treguar botës se kush është Kosova në të vërtetë…Sportistët tanë kanë dëshmuar se janë ambasadorët tanë më të mirë e më të denjë të Kosovës, prandaj jemi krenar për çdo hap, çdo garë dhe çdo qëllim që e kanë arritur. Kjo dekadë është e mbushur me arritje dhe momente të paharrueshme për sportin e Kosovës, në fakt për secilin qytetar të Kosovës sepse nëpërmjet sportit Kosova u vendos në hartën globale në mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze”, deklaroi Osmani.
Kurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo dekadë shënoi histori jo vetëm për Kosovën por edhe për sportin ndërkombëtar sepse Kosova fitoi medalje në debutimin e saj në Lojërat Olimpike me kampionen Majlinda Kelmendi.
Kurti tha se këtë rrugëtim të suksesshëm Kosova do ta vazhdojë edhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 duke ofruar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta mbështetur fuqishëm organizimin e këtyre lojërave.
“Gjatë kësaj dekade, Kosova ka arritur atë që dikur dukej e pamundur. Nga njohja ndërkombëtare, në pjesëmarrje e përfaqësim dhe direkt në medalje të artë Olimpike. Histori për Kosovën, e histori edhe për sportin ndërkombëtar, ku një shtet, në debutim të Lojërave, fiton medalje të artë Olimpike. Më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për kampionen tonë, gruan e guximshme, shqiponjën e maleve të rugovës, të artën tonë të parë olimpike, Majlinda Kelmendi. Suksesi i saj jo vetëm që e ngriti Kosovën në majat e sportit botëror, por edhe frymëzoi breza të tërë të rinjsh që të ëndërrojnë dhe të punojnë drejt madhështisë”, tha Kurti.
Ndryshe, Komiteti Olimpik i Kosovës u anëtarësua në Komitetin Olimpik ndërkombëtar më 9 dhjetor të vitit 2014.