Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në një konferencë për media njoftoi se deri më tani në këtë komunë janë vaksinuar 1 mijë e 377 qytetarë, aq sa ka qenë numri i dozave për këtë komunë, në fazën e parë, ku janë vaksinuar personeli shëndetësor dhe grupmoshat 75-85 vjeç.
Ai vlerëson se situata me COVID-19 në komunën e Gjilanit në dhjetë ditët e fundit është më e qetë.
“Kanë filluar dukshëm të ulen shifrat. Nga mbi 700 raste aktive para pak javësh, numri bie në 243, ndërkaq nga afro 75 vizita shtëpiake nga ekipet e shëndetësisë primare, numri është ul në 30”, ka thënë Ismajli.
Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me COVID-19 në këtë komunë ka shkuar në 6 mijë e 274, prej tyre 5 mijë e 892 janë shëruar, 139 kanë vdekur, raste aktive janë 243, kurse të hospitalizuar me COVID janë 43 dhe 123 mostra në pritje për rezultat./UBTNews