Pas rinovimit të kontratës me Juan Matan, Manchester United ka konfirmuar edhe nënshkrimin me Tom Heaton.
Portieri i Anglisë ka rënë dakord për një kontratë deri në qershor të vitit 2023, me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.
Kjo është një rikthim në United për 35-vjeçarin, i cili kaloi 13 vite në klub. Ai ka tri paraqitje për vendin e tij dhe gjithashtu ka luajtur me skuadra si Cardiff City, Bristol City, Burnley dhe Aston Villa.
Kontrata e Heaton kishte skaduar në Villa dhe ai është transferuar në “Old Trafford” si lojtar i lirë.
“Për mua që të kem mundësinë të kthehem pasi kam kaluar 13 vite të shkëlqyera këtu si fëmijë, është një ndjenjë e pabesueshme dhe unë jam vërtet i emocionuar”, tha Heaton.
“Ndihem në formë të shkëlqyeshme dhe pres që të hyj për të garuar me portierët e tjerë”, tha ai.