Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka është ende në radarët e Romës, por reprezentuesi zviceran insiston se ai dëshiron të fitojë diçka të veçantë me Arsenalin.
Xhaka ishte objektivi prioritar i Mourinhos në verë, por Roma nuk ra dakord për çmimin e transferimit të lojtarit me Arsenalin edhe pse klubi italian kishe arritur marrëveshje me 29-vjeçarin për një kontratë katërvjeçare.
Reprezentuesi zviceran nënshkroi një zgjatje të kontratës me “Topçinjtë” në fund të gushtit, duke i dhënë fund ëndrrave të Romës për nënshkrimin e tij.
Mourinho do të jetë ende në kërkim të përforcimit të mesfushës gjatë verës, veçanërisht duke marrë parasysh largimin e mundshëm të Jordan Veretout. Portugezi nuk ka hequr dorë nga Xhaka, por mesfushori i Arsenalit është i vendosur të qëndrojë në Londër deri në fund të kontratës së tij në vitin 2024.
“Nuk nënshkrova një kontratë të re vetëm për të shijuar kohën time këtu”, tha ai.
“Dua të arrij diçka me këtë klub, diçka të veçantë. Para kësaj, unë nuk largohem”, shtoi Xhaka.
Xhaka nuk ka shënuar ende golin e tij të parë me “Topçinjtë” këtë sezon dhe nuk ka qenë titullar i rregullt. Ai ka Bërë vetëm 22 paraqitje në të gjitha garat, duke luajtur 1829 minuta.