Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot ka zgjedhur gjyqtarin Venhar Salihu për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit, me mandat pesëvjeçar.
Anëtarët e KGJK-së, pas shqyrtimit të rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistim, hynë në procesin e votimit, ku gjyqtari Salihu mori shumicën e votave.
Venhar Salihu është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil të Gjykatës Themelore të Gjilanit. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, ndërsa provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2012/13.
Nga janari 2006 deri në maj 2008 ushtroi detyrën e asistentit të avokatit në Zyre të Avokatisë, ndërkaq nga maji 2008 deri në maj 2015 ka ushtruar detyrën e asistentit të Lartë Ligjor për Verifikim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA).
Më 19.05.2015 u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil dhe ende vazhdon ta kryejë këtë detyrë.
Gjyqtari Salihu nga 1 janari 2019 deri më 10 janar 2022, ka qenë shef i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan. Ndërsa, nga 1 maji 2021 deri më 31 mars 2022, ka qenë mbikëqyrës i Degës së Gjykatës Themelore në Novobërdë.