UBT News

​Vazhdohen edhe për 30 ditë masat emergjente për furnizim me energji elektrike

Qeveria e Kosovës ka vazhduar afatin për masat emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditët e ardhshme. Kjo u bë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë me arsyetimin se gjendja e furnizimit me energji vazhdon të jetë e rëndë dhe se masat e Qeverisë kanë ndikuar pozitivisht në menaxhimin e situatës së krijuar. Në mbledhjen e Qeverisë gjithashtu është votuar edhe plotësimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe me një masë shtesë në të cilën do të përfshihen rezervat shtetërore.

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës propozimin me emrat e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Avni Sahiti e Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat që u bënë të ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se të dy kandidatët kanë përgatitje akademike.

“Reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike, të kthimit të besimit në institucione si dhe rritjes së perspektives socio-ekonomike dhe të mirëqenies qytetare”, ka thënë Kurti.

E me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është votuar për plotësimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike me një masë shtesë, atë 3.8. Kjo është pasuar me miratimin e vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10 milionë euro për masën 3.8.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë është programi për rezervat shtetërore mirëpo marrë parasysh ndryshimet e situatës dhe gjendjen në tregjet globale, sa i përket çmimeve të luhatjes së tyre, e kemi parë të nevojshëm që në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike të shtojmë edhe një masë, pra masën 3.8 që ka të bëjë me rritjen e rezervave shtetërore e për këtë pastaj do të kemi edhe pikën në të ndryshme për ndarjen e mjeteve, pra në shumë prej 10 milionë euro shtesë”, ka thënë Murati.

Ndërsa zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj ka thënë se masat e marra nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar kanë ndikuar pozitivisht në sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe ka kërkuar që ato të vazhdohen edhe për 30 ditët në vazhdim.

“Arsyeshmëria është për shkak se masat e ndërmarra nga qeveria me vendimin 01/51 të datës 24 dhjetor 2021 dhe miratimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me datë 29 dhjetor 2021 patën ndikuar pozitivisht në ruajtjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në rrethana të një krizë energjetike që patëm… Situata gjithashtu e krijuar rreth Ukrainës e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimeve të energjisë në tregun evropian të energjisë dhe kjo mund të reflektojë edhe në Kosovë, andaj konsiderojmë se është e nevojshme që të vazhdohet me masat emergjente të furnizimit me energji për një afat shtesë edhe prej 30 ditë”, ka thënë ai.

Exit mobile version