Rrëfime nga familjarë të personave të pagjetur janë mbledhur në një libër përmes së cilit paraqiten dëshmi për rrëmbimet dhe vrasjet e kryera nga serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Të jetosh mes ankthit dhe shpresës” është libri i botuar nga organizata “Ndriçimi i jetës” i cili përmban dhjetë rrëfime nga familjarë të personave të pagjetur dhe u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Izet Abdyli, redaktor i librit, tha se çdo rrëfim në këtë libër është dramë në vete dhe paraqet realitetin e trishtuar të luftës në Kosovë.
“Çdo rrëfim në këtë libër është një dramë në vete. Në këto rrëfime shpërfaqet një realitet i trishtuar i luftës në Kosovë, ku civilë të paarmatosur, të moshave e gjinive të ndryshme janë rrëmbyer në prani të familjarëve dhe ende nuk dihet për fatin e tyre. Këto rrëfime përveç që janë një thirrje për institucionet shtetërore të bëjnë me shume për të pagjeturit, personazhet e rrëfimeve sikur ua lehtëson barrën e dhimbjeve që u rëndon ndër vite. Rrëfimet janë të sinqerta dhe ofrojnë dëshmi e fakte për kohën e rrëmbimit apo vrasjen, vendin dhe dëshmitarët e ngjarjeve. Pothuaj nga të gjitha rrëfimet del vetëm një kërkesë, të riatdhesohen eshtrat e të pagjeturve”, tha ai.
Ndërsa Lutfie Vokshi, kryetare e organizatës, e cila e ka vëllain e pagjetur, tha se e ka përjetuar çdo rrëfim të personazheve që janë bërë pjesë e këtij libri.