Sot në Ngucat të Malishevës, është bërë përurimi i kompleksit “Kodra e UÇK-së” e cila mes tjerash ka të ndërtuara shkronjat UÇK, në shenjë nderimi për luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së dëshmorëve dhe veteranëve të luftës.
Përurimi i këtij kompleksi është bërë në 23-vjetorin e rënies së Komandant Kumanovës dhe dëshmorëve të tjerë, emrin të cilit e ka mbajtur Brigada 121, e ZO të Pashtrikut të UÇK-së.
Fillimisht janë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” në Kleçkë dhe në vendin e rënies së Kumanovës, e më pas, me një ceremonia të organizuar, është bërë edhe përurimi i kompleksit “Kodra e UÇK-së”, ku krahas shumë veteranëve të luftës dhe qytetarëve, morën pjesë edhe Rifat Jashari, Fatmir Limaj, gjeneralët Kudusi Lame e Gëzim Hazrolli, nënkryetari i Hajdin Berisha etj.
Në ceremoninë e përurimit të kompleksit “Kodra e UÇK-së”, fjalë rasti kanë mbajtur, Rifat Jashari, Fatmir Limaj, Kudusi Lame, Metush Kryeziu dhe koordinatori i ndërtimit të kompleksit, Mustafë Shala.
Të gjithë folësit, ndërtimin e këtij kompleksi e kanë vlerësuar si një vepër e madhe historike, në kujtim dhe nderim të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe karficës së popullit shqiptar në luftë për liri.
Në mbrëmje, do të mbahet edhe një organizim tjetër në këtë kompleks, me rastin e ndezjes së dritave, ku tri shkronjat e arta të UÇK-së, do të ndriçojnë përgjithmonë në kodrën mbi fshatin Ngucat, ashtu sikur ndriçon përgjithmonë në historinë e popullit shqiptar, lufta e lavdishme e UÇK-së.