Në konferencën e tij për media përpara udhëtimit në veri të kryeqytetit nesër për ndeshjen kundër Tottenhamit, trajneri i Chelseat Thomas Tuchel ka konfirmuar se dy lojtarë të skuadrës së tij janë dyshim për këtë ndeshje.
Kjo ndeshje është e vlefshme për xhiron e 22 të Premier Ligës dhe zhvillohet të enjtën me fillim nga ora 21:00.
“Ne kishim dy çështje të vogla sot në fushën e stërvitjes,” tha fillimisht trajneri londinez.
‘Kurt Zouma dhe Kai Havertz u larguan nga fusha për shkak të disa problemeve. Ata po kontrollohen tani dhe është e diskutueshme nëse do të jenë në skuadër për sfidën e nesërme. Të gjithë të tjerët janë në dispozicion”, sqaroi ish-trajneri i Paris-Saint-Germain.
Sa i përket ballafaqimit me Jose Mourinhon, Tuchel tha se ndjehet mirë që ekipi i tij do të ndeshet me një skuadër si Tottenham Hotspur.
“Jam shumë i lumtur që garoj me një ekip të fortë kundër skuadrës së tij. Jam shumë i lumtur që arrij me cilësinë që e kemi në skuadër, me mentalitetin tonë dhe me atmosferën që kemi tani. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Thomas Tuchel.
“Tottenham është shumë konkurrues dhe shumë i fortë. Do të jetë një sfidë. Jose është një fitues dhe unë dua të zbatoj të njëjtën gjë në ekipin tim. Ne jemi në nivelin më të lartë për të fituar ndeshje dhe do të provojmë gjithçka nesër për t’i mposhtur në stadiumin e tyre”, përfundoi gjermani që tani ka marr drejtimin e skuadrës angleze, Chelsea.