Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel ka insistuar se Kepa Arrizabalaga nuk ka asgjë për t’i dëshmuar atij, ku tregoi përkrahje për portierin që të vazhdojë me paraqitje të mira.
Kepa ende mbetet si portieri më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, pasi që Chelsea e transferoi nga Athletic Bilbao për një shumë afro 80 milionë eurosh në gusht të vitit 2018.
Që nga ardhja në “Stamford Bridge”, Kepa ka dështuar që të justifikojë shumën e madhe të transferimit të tij, duke e humbur titullarin te “blutë”, por trajneri Tuchel ka treguar që ka besim në portierin spanjoll.
“Atij nuk i duhet të më dëshmojë që ai është një portier i mirë, sepse e shoh atë gjë çdo ditë gjatë stërvitjeve. Ndoshta ky është qëllimi, që ai mos të mundohet shumë që të bind të gjithë që ai vlen aq sa klubi ka paguar për të”, tha Tuchel.
“Kujt i intereson se çfarë ka paguar klubi. Paraja nuk është problem tani. Pyetja qëndron nëse ne si klub mund ta përballojmë atë si portier”, shtoi trajneri gjerman.
Këtë sezon të ri, Kepa i ka bërë vetëm dy paraqitje me Chelsean, ku në Super Kupën evropiane ai priti dy penallti të Villarrealit, vetëm që në fund ta ndihmojë skuadrën e tij drejt triumfit të kësaj gare.