Armando Broja është një nga sulmuesit e rinj më të kërkuar të momentit. Kjo për dy arsye: sezonin e kaluar te Southampton, ai tregoi të gjithë vlerën e tij, duke bindur Chelsean që ta mbante në skuadër edhe këtë sezon. Së dyti sepse “Blutë” nuk po e përdorin shumë, pavarësisht se qasja e re është e fokusuar te të rinjtë.
Kështu Chelsea mund të konsiderojë një lamtumirë të mundshme në afatin kalimtar të dimrit, mundësisht në formë huazimi për të shmangur humbjen e kontrollit të lojtarit. Situata e tij, megjithatë, lidhet me një blerje në repartin ofensiv. Javët e fundit është përfolur shumë për Christoph Nkunku, francezi i Leipzigut, i cili ka kryer edhe kontrollet mjekësore me londinezët.
Deri pak muaj më parë, Broja është ndjekur nga Atalanta dhe Interi, ndërsa javët e fundit janë tre skuadra të tjera që kanë pasur kontakte për të kuptuar situatën. Bëhet fjalë për Napolin, ndoshta për të zëvendësuar Osimhen, por edhe Romën dhe Milanin.