Trajneri i ri i Manchester United, Erik ten Hag e ka përshkruar Cristiano Ronaldon si “një gjigant”, duke konfirmuar se ai do të dëshironte ta mbante sulmuesin në “Old Trafford”.
Pavarësisht sezonit të dobët të United, Ronaldo ka kontribuar me 24 gola në Premier Ligë dhe Ligën e Kampionëve.
Me United dhe Ten Hag janë duke planifikuar një rinovim të skuadrës këtë verë dhe ishte spekuluar se ylli portugez do të mund të largohet.
Megjithatë, duke folur për “De Telegraaf”, Ten Hag nuk ka lënë dyshime se ai dëshiron që Ronaldo të paraqitet në skuadrën e tij në sezonin e ardhshëm.
Trajneri në largim i Ajaxit tha: “Ronaldo është një gjigant, për shkak të asaj që ai ka treguar tashmë dhe mendoj se ai është ende shumë ambicioz. Sigurisht që do të doja ta mbaja atë. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për Manchester United këtë vit dhe mund të prodhojë statistika të shkëlqyera”.
Ronaldo ka edhe një vit në kontratën e tij me United, me të dyja palët që kanë mundësi të diskutojnë një zgjatje të mëtejshme përpara se të skadojë në vitin 2023.