Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), Federata Franceze e Futbollit (FFF), autoritetet kompetente lokale dhe Administrata e Policisë së Parisit do të mbajnë një takim krize nesër për të diskutuar situatën në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila u luajt të shtunën në Paris.
Ministrja e re franceze e Sportit, Amelie Oude-Caster tha se në këtë mënyrë dëshiron të sigurojë që kaosi që shënoi finalen mes Real Madridit dhe Liverpool-it të mos përsëritet, pasi Parisi do të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike pas dy vjetësh.
“Duhet të zbulojmë saktësisht se çfarë shkoi keq. Ne duam të nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga kjo, sepse nuk duam që një ngjarje e ngjashme të përsëritet në asnjë moment në të ardhmen”, theksoi ministrja.
UEFA shpjegoi se finalja e Ligës së Kampionëve u vonua për shkak të “mijëra tifozëve që donin të hynin në stadium me bileta false”.
Dueli fillimisht u vonua 15 minuta, dhe më vonë u shty më tej pasi turmat u rritën. Shumë media evropiane kanë shkruar për nervozizmin që u rrit në hyrje, si dhe për përdorimin e forcës nga ata që duhet të kujdeseshin për rendin.
Policia franceze tha se kishte arrestuar 68 persona në trazirat, ndërsa 238 u plagosën lehtë. Edhe autoritetet britanike kërkuan një hetim.
“Është në interesin e të gjithë të përfshirëve që të zbulojnë se çfarë ka ndodhur dhe të mësojnë prej saj”, tha ministrja britanike për Sportin dhe Kulturën, Nadine Dorries.