UBT News

​Sveçla takon zëvendësministren Kuko, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti sot në takim zëvendësministren e Brendshme të Shqipërisë, Romina Kuko, me të cilën ka biseduar rreth bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve e përvojave më të mira, në mënyrë që institucionet tona të jenë sa më të ngritura profesionalisht dhe në shërbim të qytetarëve.

Sveçla njoftoi zëvendësministren Kuko për angazhimet aktuale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe synimet për të ardhmen, si dhe shprehu gatishmërinë për koordinimin e projekteve për të ardhmen, dhe kjo gatishmëri është konfirmuar po ashtu edhe nga delegacioni shqiptar.

Në fund të takimit që të dyja palët u dakorduan se do të vazhdojnë edhe më tutje thellimin e bashkëpunimit të ngushtë si deri më tani, në mënyrë që të avancohen politikat tona të sigurisë dhe të jemi sa më të efektshëm për qytetarët e të dyja shteteve.

Ndryshe, pjesë e delegacionit të kryesuar nga Romina Kuko, ishin edhe koordinatori nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit Denion Meidani, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Admir Abrija, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues Ervin Hoxha dhe zëvendës koordinatori kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit Ermal Jauri. 

Exit mobile version