Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së pestë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike, ku janë diplomuar 51 studentë prej të gjitha agjencioneve të sigurisë publike.
Pjesë e kësaj ngjarje ishte ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Edward Anderson.
Ministri Sveçla ka thënë se kjo gjeneratë diturinë e fituar do ta përdorë për të rritur vigjilencën në sigurinë e vendit pasi që Serbia është pozicionuar krah Rusisë.
“Tash e katër muaj është duke ndodhur një luftë e padrejtë, por edhe e pabarabartë një agresion i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës. Ky është rast ku ne si akterë të sigurisë ballafaqohemi me situata të reja. Është edhe një dëshmi që ne duhet të jemi vigjilentë dhe të përgatitur për çdo situatë të mundshme. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka ndikuar në sigurinë tonë duke marrë parasysh që Serbia është pozicionuar përkrah agresorit dhe në vazhdimësi ka bërë përpjekje për destabilizimin e vendit tonë. Deri tash kemi qenë në nivel të lartë të detyrës”, tha Sveçla.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë para të diplomuarve se janë zotuar si ministri të punojnë më shumë për të krijuar kushte më të mira infrastrukturore në institucionet e sigurisë.
“Jam e lumtur që shtetit tonë po i shtohen gjenerata të reja, me qëllim të kontributit dhe angazhimit në kuadër të rendit dhe sigurisë, por edhe sundimit të ligjit, dhe sidomos në një situatë tejet të vështirë për të cilën foli edhe ministri Xhelal Sveçla. Të gjithë bashkë jemi zotuar se do të rrisim kapacitetet tona në siguri, por edhe në drejtësi, dhe duhet të angazhohemi për kushte më të mira të punës brenda institucioneve tona. Shërbyesi korrektues i Kosovës ka një partneritet dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Akademinë për Siguri Publike dhe ne jemi të lumtur ta konfirmojmë këtë edhe sot, pra në këtë ditë të veçantë, të diplomimit të studentëve së gjeneratës së pestë”, ka thënë Haxhiu.
Samedin Mehmeti, drejtor i përgjithshëm në Policinë e Kosovës, u ka thënë të diplomuarve se kjo gjeneratë kanë rol kyç në avancimin e institucioneve të sigurisë.
“Zhvillimi dhe avancimi i kuadrove të sigurisë në Institucionet e zbatimit të ligjit me kuadër profesional, ndikon në ndërtimin e Institucioneve kredibile, llogari dhënëse dhe demokratike e që është edhe vizioni ynë për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt. Edukimi dhe trajnimi kanë rol të rëndësishëm sidomos, me formësimin në kuadër profesional në mënyrë që të kemi zhvillim institucional, ashtu siç e përmendi edhe ministri Sveçla jemi para sfidave të mëdha të sigurisë globale, sigurisë rajonale që natyrisht kanë influencë në vendin tonë”, tha Mehmeti.
Në këtë ceremoni janë ndarë edhe certifikata për dy studentët më të dalluar gjatë periudhës katërvjeçare në të cilën kanë kaluar gjatë studimeve. Qëndresë Ramadani tha se ëndrra e saj ka qenë të bëhet police derisa i ka kujtuar momentet më të mira në Akademi.
“Grupi ynë ka qenë më i miri prej vitit të parë, sepse kishte personalitete të ndryshme, përfituam e u ngritëm personalisht dhe profesionalisht, do të na mungojnë debatet në klasë, pritja para derës së bufesë dhe çaji që shkon mes miri në Vushtrri. Profesioni i ëndrrave ka qenë gjithmonë policia, dhe prej ditës së parë që kam ardhur në Akademi kam punuar fort që të jap më të mirën nga vetja për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tonë”, tha Ramadani.
Në fund të ceremonisë janë ndarë certifikatat për të gjithë të diplomuarit e nivelit bachelor, nga udhëheqësit e institucioneve të sigurisë së vendit.