Superliga e Femrave në basketboll pritet të jetë mjaft interesante. Në elitën e femrave po ekziston një rivalitet i madh dhe kjo pritet të vazhdojë edhe në këtë edicion.
Penza, Prishtina dhe Bashkimi kanë luftuar për trofe në vitet e fundit dhe ky rivalitet është rritur edhe më shumë me pjesëmarrjen e tyre në Ligën Unike, ku Prishtina e fitoi për herë të parë, ndërsa Superkupën Mbarëkombëtare e kishte fituar Penza.
Skuadra pejane është kampione e Kosovës, ku mundi në finale Prishtinën, ndërsa vashat pejane kishin fituar edhe Superkupën. Ndërkohë, Kupën e kishte fituar Bashkimi i Prizrenit.
Kjo pritet të bëjë edhe më interesante edicionin e ri, gjithashtu duke marrë parasysh transferimet e skuadrave që kanë bërë, për të dëshmuar se hynë fuqishëm në synimet që kanë.
Në elitë garojnë edhe Vëllaznimi e Trepça, skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës, ndërsa nga Liga e Parë është inkuadruar United Basketball nga Gjilani.
Xhiroja e parë do të zhvillohet më 15/16 Tetor, ku qysh në xhiron e parë do të kemi derbin e parë mes Bashkimit dhe Penzës.