Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po vazhdon me shënimin e aktiviteteve në kuadër të “Javës Evropiane të Sportit”. Fushatë së cilës i është bashkuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Me këtë rast KOK-u ka organizuar “Forumin e Sportit”, në të cilin, po diskutohet për mënyrat se si mund të bëhet masovizimi i sportit në Kosovë si rrugë për aktivizimin e të rinjve në sport.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në hapje të këtij forumi tha se përmes këtyre aktiviteteve, KOK-u synon masovizimin e sportit me theks të veçantë te fëmijët si rrugë për t’ i larguar ata nga telefonat dhe rrugët e këqija. Ai ka kërkuar nga të pranishmit në këtë forum që të japin ide të reja për mënyrën se si mund të arrihet ky qëllim dhe që efekti i tij të jetë sa më i madh në vend.
Ndërsa, Ibër Alaj, koordinator nacional i javës evropiane të sportit dhe drejtor i departamentit të sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit theksoi se përmes fushatës “beactive” kjo ministri po synon që të motivoj të rinjtë të merren me sport sepse, sipas tij, viteve të fundit po rritet numri i të rinjve me obezitet, gjë që po vie për shkak të mosaktivitetit të të rinjve në sport. Ai shtoi se pjesë shumë e rëndësishme e “Javës Evropiane të Sportit” janë edhe personat me nevoja veçanta si dhe edukimi sportiv në shkolla që fëmijët të jenë aplikues të sportit në mënyrë që ata të jenë aktiv gjatë gjithë jetës dhe pse jo të bëhen edhe sportistë elitarë në të ardhmen.
“Java Evropiane e Sportit” ka nisur me 23 shtator dhe do të përfundojë me 30 shtator.
Në “Forumin për Sportin” po marrin pjesë përfaqësues të MKRS-së, të KOK-ut, kryetarë të federatave sportive dhe sportistë të fushave të ndryshme.