UBT News

​Sot hapet ekspozita e pamjeve satelitore “Duke parë përtej”

Një vit pas rihapjes për publikun, Observatori Astronomik i Prishtinës në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë organizon ekspozitën e pamjeve satelitore “Looking Beyond – Duke parë përtej”, promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane me kontributin e Agjencisë Italiane të Hapësirës (ASI) dhe të kompanive e-GEOS dhe Telespazio, aktive në fushën e zgjidhjeve dhe shërbimeve satelitore.

Çelja e ekspozitës do të bëhet të hënën, në orën 17:30 në “Pallatin e Rinisë”, ku gjendet edhe Observatori, me pjesëmarrjen e Ambasadorit Antonello De Riu, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, si dhe kuratorit, Filippo Maggia, një nga ekspertët më të mëdhenj italianë në fushën e fotografisë bashkëkohore.

Sipas një njofitmi të mabasadës, pas çeljes, në kuadër të “Ditës së kërkimit italian në botë”, ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 14 prill, çdo ditë, nga e hëna në të premte, nga ora 11:00 – 18:00 dhe hyrja do të jetë falas.

Ambasadori De Riu, shpjegon se “projekti përbëhet nga një ekspozitë imazhesh të marra nga plejada satelitore COSMO SkyMed që synon të rrisë kërkimin italian mbi shkencën dhe hapësirën dhe të ndërgjegjësojë publikun për përdorimet e shumta të teknologjive të zbulimit satelitor, veçanërisht në fushën bujqësore, infrastrukturë, parandalimin dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive mjedisore. Ekspozita – shton diplomati – përfaqëson një mundësi për të prezantuar dhe ndarë një qasje në të cilën Italia beson bindshëm, atë të vënies së shkencës në shërbim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të planetit tonë. Një ngjarje që është kulturore dhe shkencore dhe që jemi krenarë ta sjellim në Observatorin e Prishtinës, i rihapur për publikun pas kaq shumë vitesh falë këmbënguljes së një grupi kosovarësh të rinj dhe të pasionuar.”.

Për Suhel Ahmetin, udhëheqës i Observatorit dhe kryetar i Klubit të Astronomisë së Kosovës (ACK), “qëllimi i ekspozitës, për të cilën falënderojmë përzemërsisht Ambasadën Italiane, është t’i ofrojë publikut një mundësi për të reflektuar për kontributin e teknologjive satelitore për vëzhgimin e Tokës, për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Në përgjithësi, përmes kësaj ekspozite, inaugurimi i së cilës bie në një ditë shumë të veçantë për ne që është përvjetori i nëntë i themelimit të Klubit tonë, shpresojmë të rrisim interesimin e publikut kosovar për astronominë dhe hapësirën”.

COSMO-SkyMed është një nga programet më inovative në fushën e vëzhgimit të Tokës, financuar nga ASI dhe Ministria Italiane e Mbrojtjes dhe Universitetit. Sistemi bazohet në një konfigurim të katër satelitëve të pajisur me sensorë SAR (Synthetic Aperture Radar), të aftë të vëzhgojnë planetin ditën dhe natën, në të gjitha kushtet atmosferike. I projektuar për qëllime të dyfishta, programi është në gjendje t’i plotësojë nevojat civile dhe ushtarake.

Observatori Astronomik i Prishtinës, i hapur për herë të parë në vitin 1977, kishte funksionuar vetëm 3-4 vite, megjithatë kishte shërbyer si qendër shkencore dhe arsimore dhe si nyje e bashkëpunimit midis Lindjes dhe Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 2022, pas 43 vitesh pasiviteti dhe falë kontributit të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Komunës së Prishtinës, rihapi dyert e tij me përpjekjet e disa të rinjve entuziastëve të hapësirës. Qendra ka disa teleskopë dhe një stacion meteorologjik. Organizon ngjarje shkencore dhe takime vëzhgimi të hapësirës, sidomos gjatë eklipseve.

Dita e kërkimit italian në botë promovohet nga Ministria e Universitetit dhe Kërkimit me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar me synimin për të rritur kontributin e studiuesve italianë në shkencën ndërkombëtare. Në mënyrë simbolike festohet rreth datës 15 prill, përvjetorit të lindjes së gjeniut italian Leonardo Da Vinci.

Exit mobile version