Afati i fundit për ofertat për blerjen e Chelseat është shtyrë edhe zyrtarisht. Klubi anglez është aktualisht në shitje, pasiqë Britania e Madhe e sanksionoi pronarin rus, Roman Abramovich.
Deri më tani, “Blutë” kanë marrë disa oferta dhe mësohet se marrëveshja do të lejohet të realizohet, por që Abramovich nuk do të përfitojë asnjë cent nga ky operacion.
Tani është konfirmuar se banka tregtare amerikane Raine Group ka zgjatur afatin e ofertave deri të premten, duke lejuar që të vijnë më shumë oferta gjatë kësaj jave përpara se të merret një vendim zyrtar.
Pronari i një rrjeti të madh të pronave Nick Candy është një person që ka shprehur interesim për blerjen e klubit, pasi është rritur si tifoz i Chelseat. Ai gjithashtu ka ofruar potencialin e tij që ta ndihmojë klubin financiarisht nëse kjo është e nevojshme, në mënyrë që ata të mund të përfundojnë sezonin aktual.
Todd Boehly dhe Hansjorg Wyss gjithashtu kanë bërë ofertat e tyre për klubin, ndërsa The Ricketts Family, që zotëron Chicago Cubs dhe pronari i Neë York Jets, Woody Johnson, gjithashtu thuhet se janë në garë.